KEK merr masa pas vdekjes së dy punëtorëve: Formohet Task Forca për Sigurinë në Punë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shprehur pikëllim të thellë për humbjen e jetëve të punëtorëve të saj, duke u përcjellë ngushëllime familjeve, të afërmve, miqve dhe kolegëve të viktimave.

Në një takim të jashtëzakonshëm të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit, është diskutuar për rrethanat e përgjithshme të ngjarjes. KEK ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes po zhvillohen hetime nga organet kompetente dhe ekspertët e forenzikës, ndërsa shkaqet dhe rrethanat e plota do të përcaktohen përmes procesit hetimor.

Bordi ka kërkuar që të shqyrtohen me përgjegjësi rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e të gjitha niveleve të përfshira në proceset e sigurisë në punë.

Në këtë kuadër, KEK do të formojë një Task Forcë për Sigurinë Industriale dhe Shëndetin në Punë, në të cilën do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm.

Task Forca do të bëjë një rishikim të plotë të protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues të sigurisë, me qëllim identifikimin e mangësive dhe marrjen e masave konkrete për përmirësimin e tyre, raporon IndeskOnline.

KEK ka njoftuar gjithashtu se gjatë këtij viti është kontraktuar vlerësimi i rrezikshmërisë së vendeve të punës, i cili aktualisht është në fazën e implementimit. Rezultatet e këtij procesi do të përdoren si bazë për masa të mëtejshme për eliminimin dhe reduktimin e rreziqeve në vendet e punës.

Bordi dhe Menaxhmenti kanë theksuar se siguria dhe shëndeti i punëtorëve do të mbeten prioritet absolut, duke deklaruar se asnjë objektiv operacional apo prodhues nuk mund të jetë mbi sigurinë dhe jetën e punëtorëve.

KEK ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të njoftojë për hapat dhe masat konkrete që do të ndërmerren për forcimin e sigurisë industriale dhe shëndetit në punë.

Artikuj të tjerë

Back to top button