
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime konkrete ndaj 11 personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me pajisjen e kundërligjshme me patentë-shoferë.
Sipas njoftimit të prokurorisë, të gjithë të ndaluarit janë zyrtarë publikë, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga kandidatët për leje drejtimi, duke i pajisur ata në mënyrë të jashtëligjshme me patentë të kategorive të ndryshme.
Prokuroria ka konfirmuar se 10 nga të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit njofton opinionin publik se në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të saj në luftimin e korrupsionit dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, gjatë hetimeve te vazhdueshme kanë ndaluar dhjetë (10) persona per kryerjen e veprave penale si ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 ‘’Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421 ‘’Dhënia e ryshfetit’’nga neni 422 ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 si dhe ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Bastisjet janë kryer në disa lokacione të ndryshme si dhe gjatë aksionit të zhvilluar janë sekuestruar disa prova matriale: armë (kallashnikovë), armë gjuetie, municione, para, telefona celular, shtëpiza të kompjuterëve.
Personat e ndaluar janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se me qëllim që kandidatët të pajisen me patentë shofer kanë kërkuar para ryshfet, gjatë së cilës u kanë mundësuar atyre të pajisen me patentë shofer në mënyrë të kundërligjshme.
Me kërkesë të prokurorit të shtetit, dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake për disa muaj janë zbatuar masat e fshehta të hetimit.
Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtron kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve.
Andaj, Prokurori i shtetit mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të aksionit janë sekuestruar prova të rëndësishme, përfshirë një armë automatike AK47, dy armë zjarri të tjera (revole), 224 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, 16.145 euro dhe 6.660 franga zvicerane, 17 telefona mobilë, 3 kompjuterë, 2 USB, si dhe dokumentacion i rëndësishëm për hetimin e mëtejshëm të rastit.