
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të nisë lëshimi i vendimeve dhe realizimi i pagesave për fermerët përmes skemës së Pagesave Direkte 2026.
Sipas njoftimit të ministrisë, për këtë skemë janë pranuar gjithsej 33,460 aplikime, ndërsa shqyrtimi administrativ i tyre dhe kontrollet në terren për sipërfaqet bujqësore tashmë kanë përfunduar.
Paralelisht me realizimin e pagesave, do të publikohen edhe listat e përfituesve. Pas përfundimit të këtij procesi, do të vazhdohet me pagesat për skemat e tjera të mbështetjes për bujqësinë.
Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se fermerët që kanë kultivuar grurë do të mbështeten për sipërfaqet e mbjella, plehun artificial dhe shpenzimet e naftës.
Mbështetja për këto kategori do të realizohet sipas normave dhe shumave të aplikuara në vitet e mëparshme.



