“Kjo që ka ndodhur sot është më e rëndë se hakmarrje politike”, Jeta Statovci reagon pasi RTK ia largoi vëllaun nga pozita

Ish-deputetja e GUXO-s, Jeta Statovci, e cila iu bashkua Vjosa Osmanit për zgjedhjet e 7 qershorit, ka reaguar pas largimit të vëllait të saj, Krenar Statovci, nga pozita e shefit të kameramanëve në RTK.

Ajo ka thënë se familja e saj ka një histori të gjatë kontributi në transmetuesin publik, duke theksuar se si vëllai i saj ashtu edhe prindërit kanë punuar për Radio Televizionin e Kosovës, përkatësisht RTP-në e dikurshme.

Statovci e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.

“Kjo që po ndodh sot është më e rëndë se hakmarrja politike, sepse drejtohet ndaj anëtarëve të familjes sime. Ai ka mbi 17 vjet që punon në RTK dhe ka qenë i vlerësuar e i besuar në funksione udhëheqëse deri sot. Papritur, në mes të fushatës, bëhet problematik dhe goditet me arsyetime që ngjallin shumë pikëpyetje”, ka deklaruar ajo.

Ajo shtoi se situata është “thellësisht zhgënjyese”, duke theksuar se vëllai i saj ka kryer punën me përkushtim për më shumë se një dekadë e gjysmë në shërbim të institucionit publik.

Artikuj të tjerë

Back to top button