Kontrata e urave kaloi nga 500 mijë në mbi 5 milionë euro: Pezullohen zyrtarët e akuzuar të Ministrisë së Infrastrukturës

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka marrë vendim për pezullimin e menjëhershëm nga detyra të zyrtarëve që po përballen me aktakuzë nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Hapi është bërë i ditur nga ministri në detyrë, Dimal Basha, i cili theksoi vendosmërinë e institucionit për t’u distancuar nga çdo dyshim për abuzim.

Rasti për të cilin zyrtarët janë dërguar në gjykatë lidhet me një kontratë për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale, e zbatuar përgjatë periudhës 2017–2019. Sipas detajeve të aktakuzës të zbuluara nga ministri, ky aktivitet prokurimi ishte planifikuar dhe iniciuar fillimisht me një vlerë të parashikuar prej rreth 500 mijë eurosh. Megjithatë, me kalimin e kohës, pagesat e realizuara në dëm të buxhetit të shtetit kanë shënuar një rritje marramendëse, duke kapur shifrën e mbi 5 milionë eurove.

Në reagimin e tij drejtuar qytetarëve, Basha nënvizoi se paratë e taksapaguesve janë përgjegjësi publike dhe se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Ai ka kërkuar që organet e drejtësisë të japin sa më shpejt verdiktin përfundimtar për të mbajtur përgjegjës abuzuesit, duke garantuar bashkëpunimin e plotë të ministrisë. Basha gjithashtu u zotua se do të punohet intensivisht për të forcuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien në çdo nivel të këtij dikasteri, në mënyrë që të mbrohen rregullat dhe procedurat publike

Artikuj të tjerë

Back to top button