KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, VV-ja kundër

Më 9 vota për dhe dy kundër, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, pasi Gjykata Supreme ka rrëzuar të gjitha ankesat që ishte duke i shqyrtuar, raporton Ekonomia Online.
Kundër certifikimit të rezultateve ishin dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi.
Nga certifikimi i këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 396 mijë e 387 vota apo 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 196 mijë e 474 vota apo 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë gjithsejtë 171 mijë e 357 vota apo 18.27 për qind.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, sipas Kushtetutës së Kosovës, fillon afati prej 30 ditësh për konstituimin e parlamentit të ri dhe zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë. Pastaj, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje që është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Nëse herën e parë kandidati për kryeministër nuk i siguron votat e mjaftueshme prej së paku 61 sosh për ta formuar qeverinë, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh duhet të emërojë një kandidat tjetër për kryeministër. Nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti është i obliguar të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.


