Krasniqi: E vetmja mundësi për miratimin e buxhetit është krijimi i qeverisë teknike

Anëtari i shoqërisë civile Albert Krasniqi thotë se vetëm dakordanca mes partive politike për krijimin e një qeverie teknike, i jep zgjidhje çështjes së buxhetit për vitin 2026 dhe Marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së.

Asnjë opsion tjetër ligjor nuk ekziston për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjes me BE-në, sipas Krasniqit, i cili thotë se qeveria në largim nuk ka kompetenca që të dërgojë ligje për miratim në Kuvendin e Kosovës.

“Nga momenti i konstituimit të Kuvendit të ri e deri në zgjedhjen e Qeverisë, seancat mund të thirren vetëm me kërkesë të mandatarit të dekretuar nga Presidentja për formimin e Qeverisë, dhe qëllimi i tyre është ekskluzivisht votimi i Qeverisë. Asnjë seancë tjetër e jashtëzakonshme, me çfarëdo rendi dite tjetër, nuk mund të mbahet në këtë periudhë. Për rrjedhojë, nuk mund të themelohen komisione parlamentare, as të shqyrtohen apo miratohen projektligje që kërkojnë bashkëpunim të rregullt ndërmjet dy pushteteve – legjislativit dhe ekzekutivit”, tha Krasniqi të enjten në një shkrim në Facebook.

Krasniqi tha se Ligji për Qeverinë përcakton ndalimin për miratimin e projektligjeve nga qeveria në largim.

“E vetmja mundësi brenda rrugëve ligjore dhe kushtetuese për miratimin e buxhetit është që partitë politike – veçanërisht ato opozitare – të bien dakord për formimin e një qeverie të përkohshme teknike, e cila do të kishte mandat të kufizuar vetëm për miratimin e Buxhetit Vjetor dhe Marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së. Një qeveri e tillë do të siguronte funksionalitetin institucional dhe do të shmangte bllokimin financiar të shtetit, duke respektuar njëkohësisht parimet e ndarjes së pushteteve dhe të legjitimitetit demokratik. Ky opsion do të parandalonte edhe abuzimet me fondet publike për qëllime klienteliste gjatë fushatave zgjedhore, si dhe do të parandalonte zvarritjen e qëllimshme të procesit të konstituimit pas zgjedhjeve të ardhshme”.

Artikuj të tjerë

Back to top button