Kurti synon të arrijë konsensus në Kuvend për kalimin e buxhetit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia ka “lënë në dorë” logjikës dhe racionalitetit konsensusin në Kuvendin e Kosovës për kalimin e buxhetit për vitin 2026.
Në konferencë për media pas votimit të projektligjit të buxhetit në Qeveri, Kurti është shprehur i bindur se votimi i buxhetit të vitit të ardhshëm do të jetë i ligjshëm në Kuvend.
Ai ka thënë se do të arrijë konsensus duke besuar në logjikë dhe racionalitet.
“Sa i përket konsensusit, unë i thërras logjikës dhe racionalitetit, pra konsensusi nënkupton logjikë dhe në anën tjetër racionalitetit ku bashkërisht shpresoj që do të mund të kemi një situatë ku ky buxhet i rritur dhe i mirë do të kalojë në legjislaturën e IX prandaj nuk kam armë tjetër për të arritur konsensus përpos logjikës dhe racionalitetit”, ka thënë Kurti.
Ai është pyetur edhe për veprimet e tij të fundit për rritjen e pagës minimale, pensionet bazike e shtesat për fëmijët, pasi ishte kritikuar se të gjitha këto po i bënë për fushatë.
Megjithatë sipas Kurtit një gjë e tillë është kërkuar nga qytetarët.
“Nëse 200 mijë pensionistë, nëse 150 mijë punëtorë që do të ndikohen nga rritja e pagës minimale, nëse 400 fëmijë do të ishin dakord të prisni edhe unë do të isha dakord, por prej kur kam folur, ata kanë pritur që unë t’i realizoj këto premtime. E kemi lexuar ligjin dhe kemi ardhur në përfundim se mund ta bëjmë, a do të ishte më mirë se si Qeveri, sigurisht, por më mirë kështu që i morëm këto vendime të mira sesa të themi të presim për Qeverinë e re. Meqenëse është e mundur të bëhen gjëra të mira duhet t’i bëjmë. Kur i realizojmë premtimet para kohe nuk duhet të ketë ankesa”, ka thënë Kurti.



