Kushtetuesja po e shqyrton ankesën e Listës Serbe

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar ankesën e Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e pakicës serbe.
Vendimi pritet të merret pasi të shqyrtohen të gjitha pretendimet. Ankesa e Listës Serbe, me pretendimin se me zgjedhjen e Nenad Rashiqit, janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe aktgjykimi i mëparshëm i Kushtetueses mbi të njëjtën çështje, pason kërkesën për vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar, siç thonë ata, veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme.
Nga Kushtetuesja nuk ka qartësim nëse janë duke e konsideruar vendosjen e një mase të tillë. Një ankesë tjetër të Listës Serbe, po për çështjen e nënkryetarëve Kushtetuesja e trajtoi në fillim të shtatorit, në kohën kur kryekuvendari Dimal Basha e pati shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb. Më 5 shtator, Gjykata Kushtetuese, mbi bazë të ankesës së Listës Serbe e pezulloi punën e Kuvendit për 25 ditë duke nxjerrë vendim për masë të përkohshme.
Sipas aktgjykimit të plotë, Kuvendi nuk ishte i konstituuar, kështu që Gjykata u kërkoi deputetëve të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë. Në vendimin e Kushtetueses u nënvizua se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, por nuk ka lejuar veto bllokuese.
Pasi Lista Serbe i shteroi kandidaturat, kryeparlamentari Dimal Basha u kërkoi atyre ta bëjnë edhe propozimin e deputetit që nuk i takon grupit parlamentar të Listës. Meqë subjekti që mbështetet nga Beogradi zyrtar refuzoi ta bëjë këtë, në votim u hodh kandidatura e Nenad Rashiqit, i cili mori votat e domosdoshme për nënkryetar të Kuvendit.
Legjislatura e nëntë u shpall e konstituuar më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e pakicës serbe, i cili u zgjodh pasi u shteruan nëntë kandidaturat e Listës Serbe, me nga tri votime radhazi.
Presidentja Vjosa Osmani, një ditë pasi Kuvendi u llogarit i konstituuar, e mandatoi udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Ai i ka edhe tetë ditë afat për t’ia prezantuar Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re.
Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota të deputetëve. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje, fitoi 48 ulëse në Parlamentin me 120 deputetë.
Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, sipas ligjeve, është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin tjetër, nëse ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatari i ardhshëm duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidentja i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre./rtk