Ballina

Dëshmitarë të dështimit të 52-të të Kuvendit, diplomatët perëndimorë: Kosova po hyn në territor të panjohur

Ambasadorët e Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës, të cilët e kanë përcjell nga afër seancën e sotme të Kuvendit, janë shprehur të zhgënjyer me situatën aktuale, teksa kanë paralajmëruar se Kosova po hyn në territor të panjohur.

Deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin, edhe në përpjekjen e 52’të. Seanca e sotme ishte parë si mundësia e fundit për konstituim para skadimit të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për përfundim të këtij procesi, e në të morën pjesë edhe kori diplomatik.

Pas përfundimit të seancës, ata shprehën pakënaqësi dhe zhgënjim me situatën aktuale, teksa patën edhe disa thirrje.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se morën pjesë në seancë për të theksuar shqetësimin e tyre dhe urgjencën për të formuar institucionet.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve”, tha Rohde.

Ai e quajti vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme, sipas së cilës deputetët nuk mund të marrin veprime drejt konstituimit nga 27 korriku deri më 8 gusht,  si karton të kuq, duke thënë “sepse po e suspendon parlamentin për të marrë një vendim”.

Edhe Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u shpreh i zhgënjyer që deputetët nuk arritën sërish ta bëjnë konstituimin. Ai përsëriti nevojën që Kosova t’i krijojë institucionet sa më shpejt.

“Kosovës i duhet një Kuvend pak a shumë menjëherë. Kosovës i duhet një qeveri e re, një qeveri e re që do ta ndërtojë urën e re – një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe Brukselit”, tha Orav pas përfundimit të seancës.

Ai e lidhi këtë me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke thënë se ndërtimi i një bashkëpunimi të tillë do ta përshpejtonte procesin.

“Ne erdhëm këtu me shpresa të mëdha, por fatkeqësisht prapë nuk ndodhi asgjë”, tha Orav.

Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, bëri një deklaratë rreth seancës së sotme, nga llogaria e tij në Facebook.

Ai u bëri thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushteutese.

“Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka shkruar Hargreaves.

Seanca e radhës, që është edhe mundësia e fundit për konstituim, u caktua për nesër.

Duke kujtuar se në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 26 korrik përfundon afati 30-ditor për konstituim, kryesuesi Avni Dehari njoftoi deputetët se Kuvendi do të mblidhet në orën 14:00.

“Dje jemi njoftuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme. Pra, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese masa e përkohshme hyn në fuqi me 27 korrik, me kohëzgjatje deri më 8 gusht. Duke pasur parasysh që kjo masë hyn në fuqi ditën e diel dhe po ashtu që afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, i vendosur nga Gjykata Kushtetuese, përfundon nesër, atëherë si kryesues i seancës konstituive dhe si përpjekje për konstituimin e Kuvendit, seancën e radhës do ta mbajmë nesër në orën 14:00”, tha Dehari, duke ndërprerë seancën për sot.

Ndryshe, Gjykatë Kushtetuese ka marrë vendim për masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve çdo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit në periudhën 27 korrik – 8 gusht.

Sipas saj, nëse nuk do të vendosej kjo masë, çdo vendim i ndërmarrë pas 26 korrikut e deri në vendimmarrjen e Gjykatës, lidhur me kërkesat që i janë parashtruar, “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button