Ky është ushtari nga Drenasi i akuzuar për dhunim në Angli, flet policia britanike

Bali Hoxha, 28-vjeçar, ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është duke u akuzuar në Mbretërinë e Bashkuar për përdhunim dhe për dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje.

Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj raporton duke iu referuar burimeve se Hoxha është nga Krajkova e Drenasit. Ai ishte nisur me një ekip ushtarësh për një trajnim disa mujor në “West Tofts Camp” në Thetford. Më 17 shtator dyshohet se i ka kryer veprat penale.

Klan Kosova ka pranuar përgjigje nga zyra e komunikimit të policisë në Norfolk, e cila ka konfirmuar arrestimin e tij dhe ka njoftuar se i njëjti do të paraqitet më 7 prill të vitit 2026 në Gjykatën e Kurorës në Norwich.

“Incidenti ndodhi rreth orës 23:30, të mërkurën, më 17 shtator 2025, përgjatë shtegut midis rrugës Prince of Wales dhe parkut tregtar Riverside. Një burrë rreth të 20-ave është arrestuar me dyshimin për përdhunim dhe sulm seksual dhe është dërguar në Qendrën e Hetimit të Policisë Wymondham për t’u marrë në pyetje”, thuhet në përgjigjen e policisë së Norfolk për Klan Kosova.

I paraqitur sot para gjykatës përmes një videolidhjeje, ai ka mohuar të ketë kryer këtë vepër penale.

Ndërkaq, në gjykatë u vendos që i njëjti të mbetet në paraburgim. Po ashtu, gjyqtarja e rastit, Katharine Moore, ka urdhëruar që ushtarakut t’i sigurohet një përkthyes në gjuhën shqipe, në mënyrë që të vazhdohet më tej procedura kundër tij. / Klankosova.tv

Artikuj të tjerë

Back to top button