BallinaEkonomi

Lidhja Bizneseve: Kërkojmë mbështetje, jo ofendime – Mjaft me qasjen arrogante ndaj sektorit privat

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesve qeveritarë, veçanërisht Ministrisë së Ekonomisë, përballë situatës së rënduar ekonomike dhe krizës energjetike që po përjeton sektori privat.

Në një komunikatë për media, LBK thekson se në një periudhë sfiduese për bizneset – ku përveç pasigurisë energjetike, ekzistojnë rreziqe serioze për prodhimtarinë dhe punësimin – është e papranueshme që përfaqësuesit institucionalë të shfaqen në media pa ndjesi përgjegjësie.

“Në një periudhë kur sektori privat në Kosovë po përballet me sfida të mëdha ekonomike, pasiguri energjetike dhe rreziqe serioze për prodhimtarinë dhe punësimin, është e papranueshme që përfaqësues të Qeverisë – e sidomos Ministrja e Ekonomisë – të deklarohen në media pa ndjesi përgjegjësie, duke folur si konsulentë të shkëputur nga realiteti dhe jo si bartës të funksioneve shtetërore”, thuhet në reagimin e LBK-së.

Sipas këtij reagimi, në vend që institucionet të ofrojnë zgjidhje konkrete dhe mbështetje të vërtetë për sektorin që gjeneron të ardhura dhe vende pune, ato zgjedhin të etiketojnë dhe ofendojnë zërin që kërkon drejtësi ekonomike.

“Kur vendi ndodhet në një bllokadë institucionale, kur zhvillimi ekonomik po ngulfatet dhe kur mijëra biznese po përballen me sfida të mbijetesës, fjalimet boshe dhe akuzat publike nga zyrtarët shtetërorë nuk janë gjë tjetër veçse shmangie nga përgjegjësia.”

LBK i ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë dhe institucionalë që të largohen nga retorika populiste dhe të vendosin interesin e shtetit dhe qytetarëve mbi kalkulimet partiake.

“Kërkojmë nga institucionet që, nëse nuk janë në gjendje apo nuk kanë vullnet për të na mbështetur sektorin privat, të paktën të mos e ofendojnë dhe të mos e sulmojnë.”

Në fund, Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka përsëritur kërkesën për dialog dhe partneritet:

“Kërkojmë bashkëpunim, respekt dhe zgjidhje – jo përçmim, arrogancë dhe diskurs përçarës.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button