Luan Hasanaj kritikon mungesën e angazhimit për mjedisin: Pasojat po shihen çdo ditë

Aktivisti mjedisor Luan Hasanaj ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me gjendjen e ndotjes në Kosovë.

Sipas tij fotografitë e shumta të vendeve të ndotura që publikohen çdo ditë tregojnë mungesë vetëdijeje dhe angazhimi institucional.

Ai ka rikujtuar kohën kur mbrojtja e mjedisit ishte prioritet dhe qytetarët mobilizoheshin për aksione pastrimi, duke e lidhur këtë periudhë me fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”.

“Kohëve të fundit, pothuajse çdo ditë shohim postime me pamje të vendeve të ndotura. Kjo nuk është rastësi. Kjo tregon dy gjëra: mungesë vetëdijeje dhe mungesë angazhimi institucional”, ka shkruar Hasanaj.

Sipas tij, përmirësimi i situatës në të kaluarën nuk kishte ndodhur rastësisht, por si rezultat i një fushate të organizuar dhe presionit publik.

“Ajo nuk ndodhi vetvetiu. Ndodhi sepse pati një fushatë të madhe, të organizuar, me presion publik, me angazhim qytetar ‘Ta Pastrojmë Kosovën’”, tha ai.

Hasanaj shtoi se kjo iniciativë ishte përballur me sulme dhe akuza të ndryshme, që sipas tij kishin për qëllim dobësimin e saj.

“Nga ‘po merrni pare’ deri te insinuata absurde, gjithçka u bë për ta zbehur një lëvizje që po funksiononte”, ka shkruar ai.

Ai tha se sot, në mungesë të fushatave të organizuara dhe presionit qytetar, pasojat e ndotjes po shihen çdo ditë.

“Mjedisi nuk mbrohet me postime revoltuese. Mbrohet me organizim, me presion publik dhe me angazhim real”, ka përfunduar Hasanaj.

Artikuj të tjerë

Back to top button