Masakra e Reçakut: Ambasadat njëzëri kërkojnë angazhim për drejtësi

Sot është shënuar 27-vjetori i masakrës në Reçak.

Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare serbe hynë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë. Viktimat u ekzekutuan në rrethana që tronditën opinionin vendor dhe ndërkombëtar.

Masakra u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të atëhershëm të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi pa nga afër trupat e pajetë të civilëve, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Të gjitha ambasadat, njëzëri, kanë kërkuar angazhim për drejtësi.

Ambasada amerikane në Prishtinë, ka publikuar fotografi nga homazhet e ushtruesit të detyrës së zëvendësshefit të Misionit, Josh Peterson në Reçak.

“Sot, Ushtruesi i Detyrës së Zëvendësshefit të Misionit, Josh Peterson, iu bashkua udhëheqësve, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës në përkujtimin e viktimave të Masakrës së Reçakut — një akt tmerri të papërshkrueshëm që tronditi botën. Le të shërbejë kujtimi i tyre si një përkujtues i detyrës sonë të përbashkët për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor, si dhe një thirrje për të mos harruar kurrë atë që bota dëshmoi. #KurrëMosHarro”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka vendosur lule në Reçak në nderim të 45 civilëve të pafajshëm të vrarë 27 vjet më parë.

Ai ka shkruar për ceremoninë e homazheve në varrezat e Reçakut dhe për progresin e Kosovës nga paslufta.

“Ceremoni prekëse në Reçak, ku autoritetet dhe qytetarët e Kosovës kujtojnë masakrën e tmerrshme të vitit 1999. Është mahnitëse të shihet se sa është zhvilluar Kosova që nga atëherë. Franca është e gatshme të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe zhvillimit ekonomik”, ka shkruar Guérot.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka kujtuar 45 viktimat e masakrës së Reçakut, që ndodhi 27 vjet më parë në Reçak.

Ambasada britanike u përfaqësua në ceremoni përkujtimore me zëvendës-ambasadorin, Paul O’Connor

“Sot përkujtojmë viktimat e masakrës së Reçakut në vitin 1999. Zëvendës-ambasadori ynë mori pjesë në ceremoninë e sotme për të nderuar 45 jetët e pafajshme të humbura dhe për të shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe thirrjet e tyre për drejtësi” thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, ka shprehur nderime për viktimat e masakrës së Reçakut.

‘’Në ceremoninë zyrtare përkujtimore të sotme, Ambasadori Rainer Rudolph nderoi viktimat e masakrës së Reçakut/Racakut të 15 janarit 1999. Ambasadori i SHBA-së, William Walker, i cili mori pjesë në ceremoni, udhëhoqi Misionin Verifikues të Kosovës që e bëri krimin publik menjëherë pas ndodhjes. Le të shërbejë kjo ditë si kujtesë për rëndësinë e ndërtimit të një të ardhmeje paqësore, ku mizori të tilla të mos përsëriten më kurrë’’, shkruhet nga ambasada.

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka përkujtuar sot viktimat e masakrës së Reçakut të vitit 1999.

Me këtë rast, ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini, ka bërë homazhe në nderim të 45 civilëve të pafajshëm që humbën jetën.

Në njoftimin e publikuar nga Ambasada e Italisë thuhet se kujtimi për viktimat mbetet i përhershëm, ndërsa angazhimi për drejtësi vazhdon.

“Sot, ne nderojmë kujtimin e viktimave të masakrës së Reçakut të vitit 1999. I kujtojmë me respekt 45 civilët e pafajshëm që humbën jetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj drejtësisë, në mënyrë që ata të mos harrohen kurrë”, thuhet në deklaratë.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button