Abdixhiku nis të gdhend ‘Jo’-në e tretë për Kurtin, në përgatitje të refuzimit “pa arrogancë”

- “Ju e dini tashmë qëndrimin e LDK-së”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në tone të lehta e dha ‘Jo’-në e radhës ndaj ftesës së Albin Kurti – të tretën me rend – për koalicion.
Numrat që s’i ka, Albin Kurti, tashmë edhe haptazi i kërkoi te Abdixhiku.
“Pse të mos e bëjmë?”, ishte fjalia e Kurtit në letër, ku u lëshua në kërkesë të hapur te Lidhja Demokratike të Kosovës.
Me fjali diku përkdhelëse si “unë nuk kam pasur problem me ju” dhe diku fyerëse si “LDK njihet si parti që nuk hezon për koalicione” – Kurti dhe partia e vet tashmë sytë i drejtuan kah kjo parti.
Abdixhiku kërkoi nga partia e vet “jo arrogancë” deri në përgjigjen zyrtare ndaj kësaj ftese të tretë, tash të fjalpërfjalshme për koalicion.
Por, “Jo”-në e sërishme e gdhendi me të dalë nga zyret e LDK-së.
“Pritni, kini durim, do të jemi transparent si çdo herë. Qëndrimet e LDK-së ju tashmë i dini”, tha Abdixhiku para gazetarëve.
Nga Vetëvendosje veçse ka nisur avalanshi i kërkesave ndaj LDK-së: “Reflektoni”, ishte fjalia që u hodh më së shumti në deklarime publike.
Prej tyre si Haxhi Avdyli me fjalët: “Refuzimi është rrugë pa krye”; Armend Muja: “Uroj të reflektojnë dhe pranojnë” e Mefail Bajqinobci me ‘selfie’ rrugëve “reflekto, jo për ne, por për Kosovën”.
LDK ka qenë shënjestra më e madhe e qitjes për Vetëvendosjen, prej fushatës zgjedhore e deri në kohët e fundit në kontestimin e rezultateve të tyre në të gjitha instancat gjyqësore e deri në Gjykatë Kushtetuese.
Vetë Kurti, sot para tre muajsh, zotohej se “o për zotin as pesë orë nuk na zgjatë me to”.
Por, letra…
Letra u lexua kryekëput për ‘lutje’ ndaj Abdixhikut.
“Unë nuk kam pasur problem me juve”, i shkruan Kurti – Abdixhikut.q
Kurti i kërkon fjalpërflajshëm koalicion Abdixhikut, siç thotë ai, ngase “koalicionet bëhet pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime”.
Ky i fundit e kishte refuzuar përmes një letreje të gjatë takimin e parë të ftuar.
Por, insistoi Kurti – një koalicion mes VV-së dhe LDK-së, sipas tij, është i preferuari i elektorateve të ndërsjella.
“LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK-në”, vazhdon t’i shkruajë Kurti, Abdixhikut.
“Pse të mos e bëjmë?”, vazhdon ai, duke shtuar edhe se një koalicion i till do të jetë i pashmangshëm. “Pse ta bëjmë atëherë më bonë, kur mund ta bëjmë tash?”.