Hoti: Kurti shpenzoi më tepër buxhet në subvencione, kështu nuk eliminohet varfëria

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka akuzuar Qeverinë Kurti se trefish më shumë të buxhetit e ka shpenzuar në subvencione e transfere, se në shpenzime kapitale siç janë ndërtimi i rrugëve, shkollave, spitaleve apo i pajisjeve ushtarake e policore.
Ai ka shkruar në Facebook të martën se kjo politikë buxhetore nuk siguron zhvillim, e sipas tij as varfëria nuk eliminohet në këtë mënyrë”
“Kjo politikë buxhetore nuk siguron zhvillim. As varfëria nuk eliminohet kështu. Ajo mund të zbutet përkohësisht me subvencione, por eliminohet vetëm me zhvillim. Më tepër është investuar në 2 vite e 9 muaj të Qeverinë Mustafa (979 mil. euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror), se në Qeverinë aktuale që është në vitin e katërt të mandatit (910 mil. euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror)”, ka shkruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Hoti ka thënë se në Qevrinë e Isa Mustafës 20 për qind e buxhetit ishte dedikuar për shpenzime kapitale të nivelit qendror.
“Ndërkaq, në Qeverinë aktuale, shpenzimet kapitale të nivelit qendror kanë rënë në 12 për qind të buxhetit”, ka thënë tutje ai.