Ministira e Drejtësisë anulon vendimin për mbulimin e shpenzimeve për Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun në Hagë

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se Komisioni për shqyrtimin e kërkesave për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike për personat e akuzuar pranë Dhomave të Specializuara në Hagë ka shfuqizuar një vendim të mëparshëm, pasi ishte konstatuar se ai ishte në kundërshtim me ligjin në fuqi.

Divizioni përkatës brenda Ministrisë së Drejtësisë në një përgjigje për Lajmi.net thotë se e ka pranuar kërkesa nga mbrojtësit e tre të akuzuarve potencial për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, akomodimit dhe transportit në kuadër të proceseve gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Më 16 shkurt 2026, Komisioni kishte nxjerrë Vendimin nr. 04/2026, duke i aprovuar fillimisht këto kërkesa. Megjithatë, pas një shqyrtimi të hollësishëm, është konstatuar se vendimi ishte në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-054 për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, si dhe me aktet përkatëse nënligjore.

Si rezultat, më 25 shkurt 2026, Komisioni ka nxjerrë Vendimin nr. 05/2026, me të cilin ka shfuqizuar vendimin paraprak, duke e harmonizuar procesin me legjislacionin në fuqi.

Nga Ministria e Drejtësisë për Lajmi.net është theksuar se ministrja nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me këtë çështje, pasi vendimmarrja i takon Komisionit kompetent, i cili është emëruar dhe ka qenë funksional edhe para marrjes së detyrës nga ministrja aktuale.

Sipas legjislacionit përkatës, Ministria e Drejtësisë ka mandat të mbështesë financiarisht anëtarët e ngushtë të familjes së të akuzuarve potencial për udhëtime që ndërlidhen me procedurat gjyqësore që zhvillohen jashtë Republikës së Kosovës.

Artikuj të tjerë

Back to top button