
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se në rastin e ndërrimit të foshnjave në Spitalin Amerikan 2 në Graçanicë, të ndodhur më 18 mars 2026, janë evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna, shkruan TandemPress.
Në një përgjigje për TandemPress, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, ka bërë të ditur se rasti është inspektuar dhe gjatë kontrollit janë konstatuar parregullsi në procedurat e ndjekura.
“Inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për TandemPress.
Përveç këtyre mangësive, nga kontrolli i dokumentacionit është konstatuar se infermierja e përfshirë në rast, ndonëse kishte licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA).
Ministria ka bërë të ditur se gjatë shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor.
Për këtë arsye, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë masa ndaj disa zyrtarëve.
Sipas përgjigjes së Ministrisë, inspektorja që e ka trajtuar rastin është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar.
Ndërkohë, zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim, ndërsa përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është dhënë vërejtje me gojë.
Në përgjigjen e saj për TandemPress, Ministria e Shëndetësisë ka shprehur keqardhje për pasojat që rasti ka shkaktuar te familja e prekur.
“Ministria shpreh keqardhje për shqetësimin dhe pasigurinë e shkaktuar familjes së prekur”, thuhet në përgjigje.
Tutje, Ministria ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse do të monitorojnë zbatimin e masave dhe rekomandimeve të dala nga trajtimi i rastit.
Rasti i ndërrimit të foshnjave ngre shqetësime për zbatimin e procedurave të sigurisë dhe identifikimit të të porsalindurve, si dhe për mbikëqyrjen e punës së institucioneve shëndetësore.
TandemPress do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me këtë rast.



