Miratohet logoja zyrtare për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Është mbajtur takimi i parë i Këshillit Organizativ për manifestimin me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të zhvillohet më 5, 6 dhe 7 mars 2026.
Takimi është kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërsa bashkëkryesues ka qenë ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti. Në mbledhje kanë marrë pjesë edhe anëtarët e Këshillit dhe përfaqësues nga Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, “Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për agjendën e aktiviteteve për tri ditët e manifestimit, si dhe për ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse, për të organizuar këtë ngjarje me rëndësi të veçantë shtetërore.”
Pas konsultimeve të përbashkëta, Këshilli Organizativ ka miratuar agjendën zyrtare për datat 5, 6 dhe 7 mars, si dhe logon zyrtare të manifestimit.
Në njoftim theksohet më tej se “Institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë koordinimin e ngushtë në ditët në vijim për të siguruar realizimin e suksesshëm të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të kësaj ngjarjeje.”



