
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka bërë të ditur se nga mostrat e mishit të analizuara deri më tani, pesë kanë rezultuar me parametra shqetësues. Dy prej tyre lidhen me kompaninë “Apetiti”, ndërsa tri me operatorë të tjerë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, në Kuvendin e Kosovës, Muja tha se deri më tani janë kryer 240 analiza laboratorike, ndërsa rezultatet janë pranuar për 111 prej tyre.
“Pesë mostra përbëjnë parametra shqetësues, të cilat i kemi dërguar për verifikim jashtë vendit. Dy nga to ndërlidhen me ‘Apetitin’, tri nga to me operatorë të tjerë”, deklaroi Muja.
Ai bëri të ditur se institucionet janë duke verifikuar një nga një 1 mijë e 446 dërgesa të mishit të importuar nga Brazili, për periudhën nga 1 janari deri më 5 shtator.
Sipas ministrit, kontrollet nuk janë përqendruar vetëm te “Apetiti”, pasi rreth 60 për qind e importeve të mishit realizohen nga operatorë të tjerë, të cilët po ashtu po i nënshtrohen analizave.
Duke folur për 103 tonë mish viçi të ngrirë, të ndaluar nga autoritetet e Malit të Zi për dyshime lidhur me afatin e skadimit dhe etiketimin, Muja tha se institucionet e Kosovës fillimisht janë njoftuar për rastin përmes mediave.



