Ballina

Musliu: Aleksandar Arsenijeviq u shpërblye me banesë nga Millan Radoiçiq për rolin në destabilizimin e veriut

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Aleksandar Arsenijeviq, i njohur si “opozitar” i Listës Serbe dhe aktivist i shoqërisë civile, është shpërblyer me një banesë në Serbi nga Millan Radoiçiq, si falënderim për kontributin e tij në përpjekjet destabilizuese në Kosovë.

Sipas Musliut, Arsenijeviq është strehuar në një banesë në qytetin Vrnjaçka Banja, e dhuruar nga vetë Radoiçiqi pas arratisjes së tij nga Kosova. “Ai nuk ka mbetur pa shpërblim për detyrat e kryera me sukses,” tha Musliu, duke theksuar lidhjet e tij të fshehta me strukturat kriminale serbe që veprojnë në veri të Kosovës.

Musliu shtoi se Arsenijeviq, ndonëse për vite me radhë është paraqitur si aktivist i shoqërisë civile, në prapaskenë ka ndihmuar zbatimin e agjendave destabilizuese të Beogradit në Kosovë. Ai theksoi se edhe aktualisht Arsenijeviq vazhdon të financohet nga struktura të jashtligjshme.

Gjatë bastisjes së vilës së Arsenijeviqit në fshatin Vallaq, në muajin qershor, policia gjeti një arsenal të tërë armësh. Sipas Musliut, vila ishte ndërtuar nga kompania “RAD 028”, e cila figuron në listën e zezë të SHBA-së. Edhe pse me dokumente menaxhohet nga Radulle Steviq, kompania në fakt është pronë e Millan Radoiçiqit.

Musliu tha se kjo vilë më parë është përdorur nga “Mbrojtja Civile” dhe grupi “Severna Brigada” për vëzhgim të njësive të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it.

“Shikoni përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë dhe Radoiçiqit për të shfrytëzuar organizata dhe individë të caktuar nga serbët e Kosovës për qëllime të destabilizimit dhe propagandës ndaj Republikës së Kosovës, duke i fshehur ata pas profileve të ‘aktivistëve të shoqërisë civile’,” përfundoi Musliu.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button