Në Kosovë po “luftohet” nga pushteti, në Maqedoni i hapen dyert për investime: Devolli që punëson mijëra qytetarë pritet nga kryeministri Mickoski

Derisa në Kosovë po përballet me një qasje të ashpër nga ana e pushtetit, biznesmeni Shkëlqim Devolli po gjen mbështetje për investime jashtë vendit – konkretisht në Maqedoninë e Veriut.
Devolli, i njohur si një ndër biznesmenët më të mëdhenj dhe më të suksesshëm në Kosovë, përmes kompanive të tij thuhet se siguron punësim për rreth 15 mijë qytetarë. Megjithatë, në muajt e fundit – veçanërisht që nga fushata zgjedhore – qeveria aktuale e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje është përballur me kritika për qasjen e saj ndaj kompanisë “Devolli”, përfshirë masa që sipas analistëve dhe punëtorëve mund të rrezikojnë mijëra vende pune.
Në një zhvillim të fundit, Shkëlqim Devolli ka qëndruar për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është pritur nga kryeministri i këtij vendi, Hristijan Mickoski. Ky i fundit ka vlerësuar lart punën dhe produktet që mbajnë “vulën Devolli”, duke theksuar se qeveria e tij është e hapur për investitorë të tillë.
Ky takim shihet si sinjal i qartë se investitorët nga Kosova po kërkojnë mundësi të reja jashtë vendit, në një kohë kur përballen me sfida të brendshme.