Në vitin 2025 u rritën ndjeshëm rastet e posedimit të lëndëve narkotike, droga më e konfiskuar ishte “marihuana”

Nga: Natyra Dragusha

Njësitë Anti-Drogë të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2025 kanë arrestuar gjithsej 440 persona të dyshuar për posedim të lëndëve narkotike. Sipas Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar–nëntor 2025 është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve të posedimit të drogës krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.


Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar rreth 1,332.42 kilogramë lëndë narkotike, duke përfshirë heroinë, kokainë, marihuanë, ekstazi, fara kanabisi dhe bimë kanabisi. Sipas Policisë, marihuana vazhdon të jetë droga më e konfiskuar, duke përbërë pjesën më të madhe të sasive të sekuestruara, ndërsa, heroina dhe ekstazia kanë shënuar një rënie të lehtë krahasuar me vitet paraprake. Numri i bimëve të kanabisit mbetet i lartë, gjë që reflekton aktivitetet e vazhdueshme të njësive policore për parandalimin e kultivimit të drogës.


Gjatë vitit të kaluar, Policia e Kosovës, përmes aksioneve të shumta kontrolluese, ka arritur të hetojë dhe ndalojë disa laboratorë të drogës që vepronin në vendin tonë për një kohë relativisht të gjatë.
Një aksion i madh u zhvillua në gusht të vitit 2024 në fshatrat Kliçin dhe Sferkë të Pejës, ku u sekuestrua një parcelë e madhe droge nga Prokuroria Themelore e Pejës në bashkëpunim me Policinë. Vlera e drogës së sekuestruar vlerësohej mbi 5 milionë euro, ndërsa numri i bimëve të mbjella ishte rreth 2,850, të cilat pritej të ishin gati për tregtim.


Sipas statistikave, gjendja e aktivitetit të drogës në vend mbetet shqetësuese. Veprat penale që lidhen me posedimin, blerjen dhe shitjen e lëndëve narkotike janë ndër më të shpeshtat në Kosovë.


Ndërkaq ekspertët shprehin shqetësimin se një numër gjithnjë e më i madh i të rinjve në moshë të hershme, po fillojnë blerjen e më pas përdorimin e drogave sintetike, të cilat mund të sigurohen shumë lehtë në treg.

Artikuj të tjerë

Back to top button