
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar të hënën, më 24 gusht, shpalljen e aktgjykimit për Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn. Seanca do të nisë në orën 14:30.
Tre të akuzuarit po gjykohen për ngjarjen e 26 nëntorit 2021, kur në Gllogjan u qëllua me armë zjarri ndaj një autobusi në qarkullim.
Si pasojë e sulmit humbën jetën shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, si dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M. Ndërkohë, F.T. mbeti i plagosur rëndë.
Prokuroria pretendon në aktakuzë se sulmi kishte si objektiv shoferin Gani Gjokaj, i cili tashmë ka ndërruar jetë.
Sipas organit të akuzës, familja Mehmetaj e fajësonte Gjokajn për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj. Kjo, sipas Prokurorisë, përbënte motivin e krimit.
Aktakuza përshkruan se Kastriot Mehmetaj, i armatosur, kishte dalë në rrugë përpara autobusit dhe ishte paraqitur si person i dehur, me synimin që shoferi të ulte shpejtësinë ose të ndalonte. Kur autobusi ngadalësoi, ai, sipas Prokurorisë, kishte qëlluar drejt shoferit.
Pas sulmit, Kastriot Mehmetaj dyshohet se ishte larguar në drejtim të fshatit Shaptej, ku e kishte pritur Kreshnik Mehmetaj me veturë.
Halil Mehmetaj akuzohet gjithashtu se, nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur djemtë e tij, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn, për vrasjen e shoferit Gani Gjokaj, duke e fajësuar vazhdimisht për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj.



