
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, të dyshuar për zjarrvënie, shtytje nga zjarrvënia dhe pengim të të provuarit apo procedurës zyrtare.
Sipas aktakuzës, më 14 shkurt 2025, rreth orës 04:53, në rrugën “Epiri”, në zonën industriale Prishtinë–Fushë Kosovë, të pandehurit SH.T. dhe F.S., në bashkëkryerje dhe pas shtytjes nga RR.A., dyshohet se i kanë vënë zjarrin objektit të diskotekës “Gate Club”, në këmbim të 3 mijë eurove.
Si pasojë e zjarrit, të dëmtuarve u është shkaktuar dëm material në vlerë prej 969 mijë e 435 eurosh.
Ndërkaq, nga shtatori deri më 16 nëntor 2025, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, të pandehurit B.H. dhe I.M., së bashku me persona të tjerë, dyshohet se kanë shtyrë një person ende të paidentifikuar që të kryejë një vepër penale kundër pasurisë së të dëmtuarit S.S.
Sipas Prokurorisë, qëllimi ka qenë hakmarrja, pasi të pandehurit dyshohet se konsideronin se F.S. dhe SH.T. ishin arrestuar si rezultat i veprimeve të S.S.
Personi i shtyrë dyshohet se i ka vënë zjarrin automjetit “Range Rover” të S.S., duke shkaktuar dëm material në vlerë prej 54,892.72 eurosh.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë dhe t’i dënojë sipas legjislacionit në fuqi.



