Numërimi i votave të diasporës po shkon drejt fundit

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon dita e katërt e numërimit të votave që kanë ardhur nga diaspora, ndërsa procesi po hyn në fazën përmbyllëse.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm janë numëruar gjithsej 104 kuti që përmbajnë fletëvotimet për zgjedhjet e kryetarëve të komunave dhe 93 kuti të tjera me vota për kuvendet komunale.
Fletëvotimet i përkasin procesit të votimit përmes postës, i zhvilluar nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, ndërsa janë tërhequr më 13 dhe 14 tetor nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare brenda Kosovës, raporton Klankosova.tv
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se nga gjithsej 23 kuti postare janë tërhequr 33 mijë e 841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat më pas i janë nënshtruar procesit të vlerësimit.
“Vlerësimi ka për qëllim të vërtetojë se pakoja është dërguar nga votuesi i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Numri i pakove që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shpeshtë për refuzim është mungesa e dëftesës së regjistrimit, një dokument unik që votuesi e pranon nga KQZ-ja”, tha Elezi për Klankosova.tv.