Osmani: Datën e zgjedhjeve s’e vendosa unë, KQZ-ja nuk ishte gati për 21 dhjetor

Akuzave të partive politike se presidentja vendosi në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, kur caktoi datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, u është përgjigjur e para e vendit.

Vjosa Osmani pohoi se data 28 u caktua për ditë zgjedhore, vetëm pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia dërgoi një letër në të cilën iu lut presidentes për kohë, pas që ky komision vlerësoi se është e pamundur praktikisht që të mbaheshin zgjedhjet më 21 dhjetor.

“Të gjitha partitë politike e dinë shumë mirë që për shkak afateve kushtetuese, para meje kanë qenë vetëm dy mundësi, data 21 dhjetor dhe data 28 dhjetor. Sa i përket datës 21 dhjetor, mua më është dërguar vlerësime me shkrim i trupave profesionale të KQZ-së , ku është vlerësuar, po citoj, që është praktikisht e pamundur, zgjedhjet të organizohen në mënyrë të rregullt për datën 21 dhjetor. Unë e kam thënë edhe para juve si mediave, ne ende ishim në mes të një procesi të zgjedhjeve lokale sepse ende nuk ishin numëruar të gjitha votat, ende nuk ishin përfunduar të gjitha proceset, platformat e njëjta që janë shfrytëzuar për zgjedhje lokale, do të duheshin të shfrytëzoheshin edhe për zgjedhje nacionale e shumë e shumë procese të tjera të cilat e bënin të pamundur që të organizoheshin zgjedhjet brenda 30 ditësh. Prandaj, ka qenë kërkesë e qartë që t’u jepet pak më shumë kohë dhe e vetmja mundësi tjetër ka qenë data 28 dhjetor”, tha ajo.

Artikuj të tjerë

Back to top button