Ballina

Osmani për kërkesën e saj në Kushtetuese: Kanë ngelur pak ditë, s’po shihet marrëveshje as konsensus

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për masë të përkohshme, për pezullimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, deri në një aktgjykim përfundimtar të Gjykatës.

Ajo theksoi se kjo kërkesë ka për qëllim parandalimin e një bllokade institucionale dhe shmangien e krijimit të institucioneve në mënyrë të kundërkushtetuese. 

Osmani shtoi se, pavarësisht përpjekjeve të saj për të lehtësuar një zgjidhje ndërmjet partive politike, Kuvendi ende nuk është konstituuar.

“Kërkesa për masë të përkohshme për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh. Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në mënyrë kundërkushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme, kërkesa bëhet me qëllim që të parandalohet dëmi i pariparueshëm dhe të mbrohet interesi publik. Unë nuk e di sa mund t’i marrë kohë që të vendosë për të gjitha meritat e kësaj kërkese, por duke pasur parasysh se si po rrezikohet kushtet e vendit tonë, mbes me shpresë që gjykata të bëjë ta prioritizojë këtë temë dhe do të vendosë sa më shpejt që të jetë e mundur duke pasur parasysh atë,” tha ajo.

Sipas saj, kanë mbetur edhe pak ditë, ‘por nuk shihet as marrëveshja e as konsensusi për konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati’.

“Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendin tonë ku edhe përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 124/25, i cili ka paraqitur afatin Kushtetues të detyrueshëm, kanë mbetur edhe pak ditë, por nuk shihet as marrëveshja e as konsensusi për konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati”, deklaroi Osmani.

    Shfaq më shumë

    Artikuj të ngjashëm

    Back to top button