OVL-UÇK dënon keqpërdorimin e flamurit të UÇK-së në protestat kundër Qeverisë Rama në Tiranë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas përdorimit të flamurit të UÇK-së në protestat e Tiranës kundër Qeverisë Rama.

Përmes një reagimi, kjo organizatë e ka dënuar çdo keqpërdorim të flamurit me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në akte vandalizmi.

OVL-UÇK iu ka bërë thirrje të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave, që të ruajnë dinjitetin dhe shenjtërinë e këtij simboli.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon çdo keqpërdorim të flamurit me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në akte vandalizmi. Ky simbol përfaqëson Luftën Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit dhe lirinë e fituar nga kjo sakrificë. Si i tillë, kurrë nuk mund të përdoret për të justifikuar, identifikuar apo fshehur veprime që dëmtojnë pronën publike apo private. Çdo qytetar ka të drejtën e protestës, por asnjë pakënaqësi, sado e thellë të jetë, nuk i jep të drejtë askujt ta lidhë flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet. U bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave, të ruajnë dinjitetin dhe shenjtërinë e këtij simboli”, është thënë në reagim e OVL-UÇK-së.

Artikuj të tjerë

Back to top button