Pas 27 vitesh pritjeje për fatin e tyre, rivarrosen tre martirë në Klinë

Pas 27 vitesh pritje, janë rivarrosur tre martirë, mbetjet e të cilëve u identifikuan ditë më parë. Masar Dushi dhe Bali Gashi ishin vetëm 23-vjeç kur ishin parë për herë të fundit ndërsa Fadil Elezi, 37. Një qytet i tërë bëri homazhe, ndërsa institucionet e Kosovës theksuan përkushtimin për të vazhduar kërkimin e mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës.
Pas 27-vjetësh pritje në ankth për të ditur fatin e të dashurve të tyre, tri familje nga Klina një ditë më parë e morën një përgjigje.
Masar Dushit, Bali Gashit dhe Fadil Elezit iu identifikuan mbetjet mortore për t’u rivarrosur sot, në Varrezat e Dëshmorëve.
Vite pasi kishte rivarrosur babanë, Florida Gashi, aso kohe 9-vjeçe, sot i dha lamtumirën e fundit axhës.
E kujtimin e fundit me të, aso kohe 22-vjeçar, e ka ende të freskët.
“Më kujtohet që e mbaja babin për dore në momentin kur filluan të na ndanin forcat paramilitare serbe në kolonat që ishim dhe në atë moment, më është shty babi fuqishëm. Aty i kam pa gjallë së fundmi. Mandej kam fillu me bërtit paralelisht Agja Agja Agja sepse me të kam qenë e lidhur shumë, kam qenë fëmija i parë në familje”, tha ajo për Dukagjinin.
Ajo thotë se nga ai i ka mbetur një ditar, përgjigjet e së cilit ia përcjell sot.
“Në mesin e tyre ka qenë një pyetje “lufta do përfundoj në vitin 2000, por unë a do jem gjallë?”. Ka qenë një nevojë me kuptu si do t’jetë fundi për ta dhe si do të kujtohen. Ju them se do jetoni gjithmonë në zemrën tonë e do përmendeni nga gjeneratat që sot kanë fatin rë jetojnë në paqe…S’është e lehtë për neve familjarëve me u përballë pas 27 vitesh me këtë dhimbje që nuk e ka fshi as pesha e kohës. Por megjithatë e kemi një lehtësim, tash e dimë ku mund të dhurojmë lule, t’i takojmë e të ndihemi më afër me ta”, tha ajo.
Mbetjet mortore të 23-vjeçarit u identifikuan bashkë me të moshatarit të tij, Masar Dushit dhe 37-vjeçarit, Fadil Elezi.
Një qytet i tërë bëri homazhe tek arkivolet e mbështjell me flamurin shqiptar e të nderuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Disa i përqafuan, disa qan e të gjithë i nderuan.
I pari i Klinës, Zenun Elezaj, pati një thirrje për institucionet.
“Ky rivarrim nuk e shuan dhimbjen e as nuk i kthen vitet, por ju jep familjeve një vend ku ti vizitojnë të dashurit e tyre…ju bëjmë thirrje institucioneve të intensifikojnë kërkimet”, deklaroi Elezaj.
Nga niveli qendror, Xhemile Morina, tha se s’do rreshtin së kërkuari ata personat e zhdukur.
“Institucionet mbesin të përkushtuara që të vazhdojnë kërkimin e personave të zhdukur deri në zbardhjen e fatit të tyre. Ky është obligim moral dhe shtetëror. Lavdi, i lehtë qoftë dheu i Kosovës”, tha Morina.
Sipas të dhënave, mbi 1600 persona vazhdojnë të mbesin të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë./Tv Dukagjini/



