PDK e LDK: Dialogu Kosovë–Serbi në vdekje klinike, marrëdhëniet me aleatët janë cenuar rëndë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është futur në “vdekje klinike” dhe se marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë janë dëmtuar rëndë, si pasojë e qasjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se dialogu ka humbur vlerën për shkak të papërgjegjshmërisë së Kurtit.
“Kurti kur e ka marrë detyrën e tij si kryeministër në tavolinën e tij ka gjetur letra të njëpasnjëshme të presidentëve amerikanë të cilët i kërkonin institucioneve të Kosovës që të përfshihen në dialog në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër”.
“Falë qasjes së papërgjegjshme të Kurtit kemi një humbje të ambicies së aleatëve tanë për t’u përfshirë drejtpërdrejt në procesin e dialogut dhe mund të them që tani dialogu është në vdekje klinike”, tha Çitaku.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, gjatë një deklarate për Ekonomia Online ka thënë se sjellja e Kurtit ka cenuar skajshmërisht raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
Më tej ai ka theksuar se dialogu me Serbinë ka ngecur si pasoj e mosformimit të qeverisë së re dhe moskonstituimit të Kuvendit që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Mendoj që janë cenuar ekstremisht marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, kemi pezullim të dialogut strategjik. Jemi edhe nën sanksione, nuk ka ku shkon më keq me këtë qeveri dhe me këtë sjellje të Albin Kurtit. (Ngecja e dialogut) është si pasojë që nuk kemi qeveri të re dhe nuk kemi edhe Kuvend të plotë të konstituuar”, tha Zemaj.