PDK i kërkon Deharit ta thërrasë nesër vazhdimin e seancës konstituive: Në ora 11:00 do të jemi në Kuvend

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës së Kuvendit më 12 gusht 2026.


Në kërkesën e saj, PDK-ja ka theksuar se Kuvendi duhet të vazhdojë procesin e konstituimit, pavarësisht se afati i përcaktuar për përfundimin e këtij procesi tashmë ka kaluar.


Sipas PDK-së, moskonstituimi brenda afatit ka krijuar një situatë të rënduar kushtetuese, por tejkalimi i afatit nuk e heq obligimin për përfundimin e procesit.


“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në qëndrimin e PDK-së.
Partia ka kërkuar që vazhdimi i seancës të thirret sa më shpejt, në mënyrë që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit.
PDK-ja ka bërë të ditur se, pavarësisht nëse Dehari e thërret apo jo seancën, deputetët e saj do të jenë nesër, më 12 gusht, në orën 11:00 në sallën e Kuvendit.
Sipas PDK-së, në atë kohë përfundon edhe afati prej 48 orësh për vazhdimin e seancës, në përputhje me rregulloren.


Në fund, PDK-ja u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve të zgjedhur që të jenë të pranishëm në Kuvend.
Partia ka thënë se prania e deputetëve do të dëshmonte gatishmërinë për të përmbushur mandatin e marrë nga qytetarët dhe për t’i dhënë fund procesit të zgjatur të konstituimit të Kuvendit.

Artikuj të tjerë

Back to top button