Për dy ditë tri aksidente të rënda trafiku në Kosovë, tre persona humbën jetën dhe disa të tjerë u lënduan

Tre persona kanë humbur jetën në dy aksidente të rënda trafiku, ndërsa disa të tjerë janë lënduar në tri raste të ndara të raportuara në Pejë, Malishevë dhe Podujevë

Ngjarja më e fundit është regjistruar në Kliqinë të Pejës, rreth orës 05:42, ku janë përplasur tri automjete.

Fillimisht u raportua për katër persona të lënduar. Njëri prej tyre është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës në gjendje shumë të rëndë, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Dy të lënduarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetë dhe ndodhen në gjendje stabile.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e përplasjes.

Gjashtë të lënduar në Malishevë

Një aksident tjetër ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, ku janë përfshirë katër automjete.

Nga përplasja janë lënduar gjashtë persona, përfshirë një zyrtar policor, i cili në momentin e aksidentit ishte duke rregulluar komunikacionin.

Sipas Policisë, njëri prej automjeteve ka dalë nga rruga dhe ka goditur zyrtarin. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe.

Vozitësi i dyshuar është arrestuar dhe, pas marrjes së trajtimit mjekësor, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Dy vëllezër humbin jetën në Podujevë

Ndërkohë, një aksident fatal është regjistruar edhe të dielën mbrëma në fshatin Surkish të Podujevës.

Sipas Policisë, një automjet me targa të huaja dyshohet se ka goditur një veturë tjetër, e cila drejtohej nga një shtetas kosovar.

Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën drejtuesi dhe pasagjeri i automjetit me targa të huaja. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për dy vëllezër.

Vozitësi i veturës tjetër është dërguar për trajtim mjekësor dhe më pas, me vendim të prokurorit, është ndaluar.

Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të tri rastet, me qëllim përcaktimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave që çuan në këto aksidente

Artikuj të tjerë

Back to top button