Përfundon numërimi në të gjitha QKN-të, procedohen 100% e vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është përmbyllur procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se të shtunën, në orën 19:00, procesi ka përfunduar edhe në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku janë proceduar gjithsej 262 vendvotime.

“Ky moment shënon përfundimin e procesit në të gjitha 38 komunat, i cili ka filluar një ditë pas ditës së zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.

Sipas tij, në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit janë proceduar 2 mijë e 498 vendvotime, përkatësisht 100 për qind e tyre.

Procesi zgjedhor do të vazhdojë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku kanë mbetur për t’u numëruar fletëvotimet e ardhura përmes postës, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

KQZ-ja ka nisur të premten në mbrëmje numërimin e votave nga diaspora, proces që pritet të zgjasë disa ditë. Sipas Elezit, nëga 23 kutitë postare të hapura për këtë lloj votimi janë tërhequr më shumë se 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime. Pjesa më e madhe e tyre tashmë është vlerësuar nga shërbimi votues i KQZ-së dhe është bërë gati për numërim.

Ndërkohë, pas përfundimit të numërimit të votave përmes postës, do të nisë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.

Votimi me kusht është mundësuar në 52 vendvotime, ku janë evidentuar 8 mijë e 751 votues, ndërsa për votimin e personave me nevoja të veçanta, të zhvilluar përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve, kanë qenë të regjistruar 3 mijë e 144 votues.

Elezi ka bërë të ditur se para se të fillohet me numërimin e këtyre fletëvotimeve, KQZ-ja po skanon listat e votuesve të përdorura në vendvotimet e rregullta, me qëllim të krahasimit të të dhënave dhe evidentimit të rasteve eventuale të votimit të dyfishtë.

Artikuj të tjerë

Back to top button