Ballina

Kurti: S’pranojmë propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret gjëra konkrete nga takimi i sotëm në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, e ku është paralajmëruar se do të diskutohet edhe për çështjen e dinarit.

Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se është kryenegociatori Bislimi ai i cili ndodhet atje dhe do të njoftojë se për çfarë temash është diskutuar dhe çka është arritur.

“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, si kryenegociator i Republikës së Kosovës ndodhet në Bruksel dhe atje po i zhvillon bisedimet, me ç’rast nuk e di nëse do të ketë takim trelateral apo vetëm dy takime bilaterale me ndërmjetësin evropian dhe emisarin e posaçëm [të BE-së, Mirosllav] Lajçak. Besoj se ai duhet të na njoftojë se për çfarë temash është diskutuar saktësisht dhe çfarë konkluzionesh do të mund të jenë arritur.

Por, më duhet të them se kjo nuk është çështje e dinarit, është çështje e Bankës Qendrore të Kosovës, institucion i pavarur i Republikës sonë. Pra, nuk është në pyetje a të ketë dinar ose jo, por a duhet të jetë BQK-ja institucion i pavarur ose jo. Unë besoj që duhet të jetë dhe ky është obligim yni kushtetues e ligjor. Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, por Kushtetuta në nenin e saj të 11-të thotë që mund të ketë vetëm një valutë si mjet pagese dhe kjo duhet të jetë euro”, tha Kurti në  intervistë.

I pyetur për deklaratën e djeshme të presidentes Osmani e cila tha se është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin, Kurti nuk e komentoi shumë duke përsëritur se pret të përfundojë ky rund takimesh që të flasë më saktësisht.

“Tash, unë e kam kryenegociatorin atje dhe besoj që ai do të diskutojë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku jemi, [me] çka mund të ecim përpara. Por, unë gjithashtu e marr përgjegjësinë që pasojat e caktuara, të cilat mund të shkaktohen në terren, mund të jenë çështje e Qeverisë. Jo vendimi si i tillë, i cili është sovran i Bankës Qendrore të Kosovës, por edhe një herë, ne vetëm bëjmë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës në terren. Nëse ka pasoja të caktuara që u referohen ministrave tanë për çështjen e dinarit. Por, unë besoj që duhet të përfundojë ky rund takimesh që të mund të flasim saktësisht.

I pyetur për propozimet për dinarin, të cilat  i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se kryeministri i Kosovës i refuzoi, Kurti u shpreh se nuk mund t’i shpalosë publikisht dhe se propozime vazhdimisht ka, por shtoi se nuk ka propozim që Kosova i pranon e që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

“Ata japin vazhdimisht propozime. Unë nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë. Unë po tregoj që ne i kemi ofruar një letër Bankës Popullore të Serbisë nga ana e guvernatorit, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, juve si gazetarë, mua si kryeministër dhe ne presim përgjigje nga ana tjetër”

“Për opsionet që kanë dhënë amerikanët, gjermanët, e të tjerët, unë besoj që duhet të flasin ata vetë”, u shpreh Kurti.

I pyetur më specifikisht se a  janë refuzuar propozimet e Escobarit, Kurti përsëriti se nuk ka propozime që pranohen nga Qeveria e tij e që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së.

“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme. Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara”, u shpreh Kurti.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button