
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë (7) personave, për veprat penale “Pjesëmarrja apo organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Kontrabandimi me migrantë”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit B.H., A.B., Sh.T., E.Zh., G.Sh., A.M. dhe L.A. gjatë viteve 2023-2024, në territorin e Republikës së Kosovës, kanë vepruar si pjesë e një grupi kriminal të organizuar, me qëllim të kontrabandimit të migrantëve për përfitim të kundërligjshëm material.
Të pandehurit akuzohen se, në kuadër të një strukture të qëndrueshme kriminale, me role të ndara, planifikim paraprak dhe koordinim të vazhdueshëm, kanë organizuar, mundësuar dhe realizuar kontrabandimin e migrantëve të huaj, përkatësisht shtetas të Sirisë, Afganistanit, Irakut, si dhe të Lindjes së Mesme dhe Azisë, të cilët nuk posedonin dokumentacion të rregullta për hyrje apo qëndrim në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, sipas aktakuzës të pandehurit i kanë siguruar migrantët në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe i kanë futur në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Republikës së Kosovës, jashtë pikave të autorizuara kufitare, përmes shtigjeve malore dhe rrugëve alternative në zonën Gorozhup–Vërmicë.
Sipas aktakuzës, për secilin migrant është paguar një shumë deri në katër mijë euro për të gjithë itinerarin e migrimit drejt Evropës.



