Prokuroria Themelore e Mitrovicës kërkon paraburgim për tre të dyshuar për transportim të mbi 3 kilogramëve marihuanë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve me inicialet L.B., F.S. dhe L.S.

Ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa F.S. dyshohet edhe për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas Prokurorisë, më 11 gusht 2026, rreth orës 16:00, në rrugën magjistrale Prishtinë–Mitrovicë, në fshatin Pestovë të Komunës së Vushtrrisë, të dyshuarit, me dy automjete, kanë transportuar pa autorizim substancë narkotike të llojit marihuanë, me qëllim të shitjes.

Njëri automjet dyshohet se është drejtuar nga L.B., ndërsa automjeti tjetër nga L.S., me F.S. si pasagjer.
Gjatë tentimit të policisë për t’i ndaluar në rrethrrotullimin e Pestovës, të dyshuarit dyshohet se kanë goditur automjetin e policisë dhe, në përpjekje për t’u larguar, kanë shkaktuar vetaksident.
Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur një çantë, brenda së cilës janë sekuestruar 3 kilogramë e 18 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë

Artikuj të tjerë

Back to top button