Publikohen shpenzimet tremujore të partive politike, LVV-ja shpenzoi më së shumti

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shënuar shpenzimet më të larta ndër subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për tremujorin korrik – shtator 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Bazuar në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, të gjitha partitë që përfaqësohen në Kuvend kanë dorëzuar raportet e tyre tremujore financiare në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), ndërsa ato janë publikuar në uebfaqen zyrtare të KQZ-së.
Sipas të dhënave të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson me shpenzimet më të larta gjatë këtij tremujori, me gjithsej 663,459 euro të deklaruara. Këto shpenzime përfshijnë aktivitetet politike, funksionimin e partisë dhe shpenzime të tjera operative.
Pas saj vjen Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka raportuar një shumë prej 220,660 euro për tremujorin e njëjtë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se ka shpenzuar gjithsej 188,533 euro.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka paraqitur shpenzime në vlerë prej 40,765 euro, që është shuma më e ulët në krahasim me partitë tjera parlamentare.
Këto të dhëna janë pjesë e përpjekjeve për rritje të transparencës dhe llogaridhënies në financimin e partive politike në Kosovë.