Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik në UP me pagë nën minimale

Nga: Natyra Dragusha
Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik në Universitetin e Prishtinës paguhen me pagë nën minimale nga kompanitë e kontraktuara. Aktualisht punëtorët teknikë marrin pagë 320 euro bruto, kurse ata të sigurimit fizik kanë pagë të përcaktuar 350 euro bruto.
Punëtorët e sigurimit fizik kanë deklaruar për se marrin pagë 386 euro në muaj, pasi paguhen edhe për orët shtesë. Paga minimale nga data 01.01.2026 është 425 euro bruto, kurse më 01.07.2026 do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës që kjo pagë do të jetë 500 euro bruto
Safet Thaçi, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në UP ka konfirmuar se për këta punëtorë ende nuk është duke u zbatuar paga minimale e përcaktuar sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës.
“Ju informoj se në fund të kësaj jave, kemi caktuar termin me përfaqësuesit e dy Operatorëve Ekonomik për të njoftuar për hapat që do ndërmarrën në këtë çështje, brenda mundësive financiare e ligjore.” shprehu Thaçi. Grupi i operatorëve ekonomikë “SCHAFBERGER JR.GMBH” dhe “ERIK Sh.P.K” është i kontraktuar për pastrimin e hapësirave të Universitetit të Prishtinës, kurse kompania “Defence Security Sh.P.K” është e kontraktuar për sigurimin fizik të objekteve të tij.
Këto kompani janë kontaktuar për t’i pyetur pas disa pretendimeve të Jusuf Azemit, kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.
Jusuf Azemi kryetari i SPSP, ka treguar sesi e ka trajtuar Inspektorati i Punës një kërkesë për inspektim të cilën e kanë deponuar, e në të cilën tha se kishin deklaruar se rreth 300 punëtorë në UP marrin pagë 292 euro.

Sipas Azemit, Inspektorati i Punës e ka vizituar më pas Universitetin dhe i ka shqiptuar dënime.



