Qumështorja Vita kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale dhe Policisë pas vonesave të rezultateve

Qumështorja Vita ka njoftuar se ka paraqitur Kërkesë në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nëpërmjet të cilës ka kërkuar nga këto institucione që të vijnë dhe të marrin të gjitha mostrat paralele të produkteve Vita dhe Holla, për, siç tha, shkak të vonesës së institucioneve kompetente për të dorëzuar rezultatet brenda afateve ligjore.
“Nëpërmjet kësaj komunikate, njoftojmë opinionin publik, që sot, më datë 24.07.2026, kemi paraqitur Kërkesë në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nëpërmjet të cilës kemi kërkuar nga këto institucione që të vijnë dhe të marrin të gjitha mostrat paralele të produkteve Vita dhe Holla, për shkak të vonesës së institucioneve kompetente për të dorëzuar rezultatet brenda afateve ligjore.
Duke marrë parasysh që deri më sot nuk kemi pranuar rezultatet dhe pavarësisht kërkesave të shumta që i kemi bërë ndaj institucionit AUV, ne akoma nuk kemi pranuar rezultatet e analizave të mostrave”.
Kompania Vita shton: “Duke e konsideruar edhe vetë faktin që në inspektimin e datës 02.07.2026, Këshilltarja Politike e Ministrisë së Bujqësisë na u ka prezentuar si Inspektore, e njësoj ka bërë edhe pronari i Kompanisë konkurrente, ne e kemi parë të udhës që të paralajmërojmë Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës, që të ndërmarrin masa dhe të parandalojnë manipulimin me rezultatet e të gjitha mostrave që i ka marrë AUV, për brendet “Holla” dhe “Vita””.



