Radojiçiq planifikonte një tjetër sulm në Kosovë në tetor

Milan Radoiçiqi po planifikonte një tjetër sulm terrorist në Kosovë, ka thënë i akuzuari nga Prokuroria Speciale për sulmin në Ibër Lepenc, Jovan Vicentijqeviq.
I akuzuari kryesor për sulmin terrorist të Ibër Lepencit, Jovan Viçentijeviq para policëve që e transportonin nga Mitrovica e Veriut në Prishtinë e pastaj për në qendrën e paraburgimit ka dhënë detaje për përfshirjen e tij edhe në sulmin terrorist të Banjskës.
Por, përveç kësaj, Viçentijeviq ka treguar se planifikohej edhe një sulm tjetër në tetor të vitit 2024. Megjithatë sipas tij, nuk u krye pasi i dyshuari kryesor për sulmin terrorist të Banjskës, Milan Radojiçiq kishte kërkuar të përfundojnë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas deklaratave të Viçentijeviq, Radojiçiqi, kishte financuar fushatën e Donald Trump me 30 milionë euro tek Lobi Serb.
“Tutje i pandehuri, Jovan Viçentijeviç ka theksuar se në muajin tetor të vitiț 2024, ishte planifikuar një sulm në Republikën e Kosovës (nuk ka cekur diçka më shumë), por ishte stopuar nga i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar Milan Radoiçiç me arsyetimin se duhet të presim deri të përfundojnë zgjedhjet në Amerikë dhe kandidati për president të SHBA-së z. Donald Trump të fitojë, pasi që sipas informatave që ka i pandehuri Viçentijeviç, Milan Radoiçiç ka financuar fushatën e z. Trump tek Lobi Serb me tridhjetë (30) Milionë Dollar”, thuhet në dosjen e prokurorisë që e ka siguruar Paparaci.
Jovan Viçentijeviq akuzohet për “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste” bashkë me vëllanë e tij Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq. Po ashtu, të njëjtët ngarkohen edhe me veprën penale të armë mbajtjes pa leje, derisa Jovan Viçentijeviq akuzohet edhe për veprën penale të “spiunazhit” pasi ka qenë funksionar në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë.



