Rama i reagon Gashanit: Ministër, përktheje letrën – ICMG u skandalizua me kërkesën e Kurtit

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Prishtinës publikoi një korrespodencë me, siç tha ai, Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

Aty, sipas asaj që shkruhet në këto korrespodenca, ICMG ka shprehur shqetësimin e tij me mungesën e përgjigjeve nga institucionet e Kosovës.

Madje, Rama tha se kështu po rrezikohet edhe vetë organizimi i këtyre lojërave në vendin tonë më 2030.

Por, në ndërkohë reagoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, i cili e reduktoi këtë korrespodencë në minimum, duke thënë se Rama nuk e ka publikuar korrespodencën e plotë dhe siguroi se Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 do të organizohen në Kosovë.

Reagim ndaj pretendimit të Gashanit bëri sërish kryetari Rama, i cili kërkoi nga i njëjti që ta “përkthejë letrën”.

“Ministër, përktheje letrën! S’po e them unë, po e thonë ICMG që s’po ju përgjigjeni, prandaj kanë me thirrë mbledhje të jashtëzakonshme me kqyrë çka me bo me neve! Kjo është zyrtare”, tha Rama.

Më tutje, ai tha se jozyrtarisht, nga ky institucion janë “skandalizuar” me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti që ky organizim të quhet, nga “Prishtina 2030”, në “Kosova 2030”.

“Jozyrtarisht, e din ti e unë çka na kanë thënë! E din që janë skandalizu kur shefi yt, Kurti, ka lyp me ndryshu emrin nga “Prishtina 2030” në “Kosova 2030”, kur ka lyp me u bo vet kryetar etj, etj!”, deklaroi Rama në Facebook.

Artikuj të tjerë

Back to top button