
Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arbenit Ahmeti, ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës.
Sipas njoftimit të KEK-ut, aksidenti ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave të punës, derisa Ahmeti ishte i angazhuar në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV.
Sipas informatave fillestare, punëtori ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda.
Menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente, ndërsa punëtori është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, Ahmeti nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra.
KEK-u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ahmeti, të afërmit, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.
“Organet kompetente janë duke trajtuar rastin dhe rrethanat e aksidentit do të sqarohen në përputhje me procedurat përkatëse”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Në fund, Korporata Energjetike e Kosovës ka shprehur dhimbjen për humbjen e punëtorit, duke shkruar: “I përjetshëm qoftë kujtimi për Arbenitin.



