
Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga partitë opozitare që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit.
“Hapat e LVV-së kanë qenë të qarta dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa përgjegjësia për bllokadën bie mbi deputetët opozitarë që refuzojnë të marrin pjesë në votim, qoftë edhe me kundërshtim apo abstencë,” tha Haxhiu.
“Ka deputetë që vijnë në Kuvend, por nuk e dinë pse vijnë. Secili deputet i LVV-së në secilën seancë konstituive, kanë qenë të pranishëm për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit. Nuk po themi të votojnë pro domosdo, por të votojnë kundër ose abstenim. Kjo situatë natyrisht se është brengosëse, por sa i takon LVV-së, secilin obligim që e kemi pasur me Kushtetutë, me rregulloren e punës së Kuvendit, e kemi adresuar. Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të marrin pjesë në votim dhe të gjejnë mënyrat për të konstiuuar Kuvendin”.
Ajo bëri thirrje për reflektim dhe përfundoi se LVV po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me komisionin e fshehtë, çështje kjo që është dërguar nga AAK-ja.
“Edhe në letrën e Osmanit thuhet se u takon të gjithëve të gjejnë mënyrë për të konstituuar kuvendin, e jo për ta bllokuar atë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita të braktis qëndrimet bllokuese, që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe të jemi në përputhje me Kushtetutën. Ne po presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionin e fshehtë”, deklaroi Haxhiu.