Ruzhdi Shehu paralajmëron padi ndaj AAK-së: Po përdorin shpifje dhe po cenojnë nderin e junikasve

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka paralajmëruar dhjetëra kallëzime penale dhe padi civile ndaj eksponentëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për shkak të, siç ka thënë ai, “shpifjeve, fyerjeve dhe tentimeve për manipulim të votuesve” gjatë fushatës zgjedhore.
Shehu shprehu shqetësim për mënyrën e fushatës së AAK-së, duke theksuar se kjo parti “në mungesë të programit politik, po merret me shpifje dhe fyerje ndaj qytetarëve, vajzave dhe grave të Junikut”.
I plotë:
Të dashur junikas,
Në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 në Junik, LDK-ja ka marrë rreth 49% të votave. Si parti e dytë është AAK-ja me rreth 38.9% të votave. Pra, LDK-ja ka dominuar dukshëm, pasi diferenca me partinë e dytë është afërsisht 10.1%. Në numra konkretë, LDK-ja është duke prirë me rreth 372 vota. Sidoqoftë, për shkak të afërsisht 40 votave, në Komunën e Junikut, më 9 nëntor, do të mbahet balotazhi apo rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Junikut.
Me këtë rast, Dega e LDK-së në Junik shpreh shqetësimin për faktin se AAK-ja, si parti e dytë, po zhvillon një fushatë që nuk është dinjitoze dhe nuk i bën nder Junikut. Në mungesë të programit politik dhe argumenteve, ata po publikojnë shkrime në rrjetet sociale, ku po përmendin vajzat dhe djemtë tanë, gratë dhe motrat tona, familjarët që jetojnë në Junik apo në mërgatë.
Paradite publikojnë një postim duke ofenduar vajzat dhe gratë e Junikut, ndërsa pasdite shkojnë dhe u kërkojnë votën me stilin: “Pashë rizanë e Zotit, më jep votën, sepse nuk po ka punë në avokaturën që e kam në Gjakovë.”
Pjesa më “inovative” janë llogaritë fiktive në Facebook, përmes të cilave pëlqejnë dhe shpërndajnë postimet e tyre shpifëse. Mirëpo, junikasit nuk mashtrohen në këtë mënyrë. Së shpejti do të dorëzojmë dhjetëra kallëzime penale dhe padi civile ndaj eksponentëve të AAK-së për shkak të tentimeve për blerje votash, manipulim të votuesve, mohimin e të drejtës së votimit, si dhe për shpifje, fyerje dhe shumë shkelje të tjera ligjore që AAK-ja ka bërë gjatë ditëve të fundit. Pra, z. Kuçi nuk do të humbë vetëm zgjedhjet në Junik, por edhe betejat gjyqësore me të cilat do të ballafaqohet së shpejti. Ne nuk bëjmë propagandë. Prandaj, të gjitha dëshmitë materiale dhe audio-vizuale që po pranojmë vazhdimisht nga qytetarët do t’i dorëzojmë së shpejti pranë organeve kompetente.
Megjithatë, nga qytetarët e Junikut që jetojnë në Kosovë apo në mërgatë, kërkojmë të ruajnë qetësinë dhe të mos ndikohen nga provokimet apo shpifjet e eksponentëve të AAK-së në Junik. Ata po tentojnë të shkelin mbi nderin e familjeve duke përmendur anëtarët e tyre, vajzat tona që janë martuar dhe kanë ndryshuar mbiemrin e vajzërisë, duke tentuar t’u mohojnë epitetin “junikas” atyre që janë lindur dhe janë rritur në Junik, vetëm për shkak se punojnë në mërgim apo diku tjetër. Ju lutem, keni parasysh një fakt: ju mund të keni një vendqëndrim të përkohshëm diku tjetër për shkak të punës apo arsyeve të tjera personale, por vendlindja dhe vendbanimi juaj i përhershëm gjithmonë do të jetë Juniku, derisa ju të mos vendosni ndryshe.
Juniku është i junikasve. Agron Kuçi dhe eprorët e tij nga Deçani nuk kanë asnjë pikë autoriteti për të vendosur se kush është i Junikut e kush jo.
Prandaj, me qetësi, por me vendosmëri si asnjëherë më parë, ne do ta mbrojmë Junikun deri në sekondën e fundit dhe nuk do të lejojmë askënd të përdhosë familjet tona, nderin apo vlerat e tjera për të cilat Juniku është i njohur në gjithë shqiptarinë.
Të bashkuar kundër propagandës dhe shpifjeve, vazhdojmë +4



