Sëmundjet kardiovaskulare në Europë shkaktojnë gati 2 milionë vdekje

Sëmundjet kardiovaskulare kryesojnë listën e sëmundshmërive si dhe janë shkaku kryesor i vdekjeve në Europë por edhe Shqipëri.
Sipas një raporti të ri të hartuar Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik , OECD, këto sëmundje prekin 62 milionë persona dhe shkaktojnë rreth 1.7 milionë vdekje, që përbëjnë rreth një të tretën e të gjitha fataliteteve në vendet e bashkimit europian.
Sëmundjet kardiovaskulare përfshijnë infarktin, goditjen në tru dhe dështimin e zemrës. Edhe pse jetëgjatësia në Europë është rritur ndjeshëm gjatë 50 viteve të fundit falë përparimeve mjekësore, këto sëmundje vazhdojnë të jenë problemi kryesor shëndetësor.
Raporti tregon se rreth 76 % e vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare në BE lidhen me faktorë të modifikueshëm, si tensioni i lartë i gjakut, sheqeri i lartë, kolesteroli, duhanpirja, dieta e pashëndetshme dhe konsumimi i alkoolit. Meshkujt kanë një rrezik dukshëm më të lartë vdekjeje sesa gratë.
Ka edhe dallime të mëdha mes vendeve. Franca, Danimarka dhe Spanja raportojnë nivele më të ulëta vdekshmërie, ndërsa Bullgaria, Rumania dhe Letonia shënojnë normat më të larta. Europa Qendrore dhe Lindore ka përhapje më të madhe të obezitetit, duhanpirjes dhe aktivitetit të ulët fizik.
Përveç ndikimit shëndetësor, sëmundjet kardiovaskulare kanë edhe kosto të larta ekonomike, që sipas OECD arrijnë 282 miliardë euro në vit. Në këtë kuadër, Komisioni Europian pritet të prezantojë së shpejti planin e parë gjithëpërfshirës të BE-së për shëndetin e zemrës, me synim parandalimin dhe menaxhimin më të mirë të këtyre sëmundjeve.



