Shkupi foli shqip: Mijëra zëra kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Për të pestën herë radhazi, shqiptarët u bashkuan me kërkesën për drejtësi e liri.

Kësaj here, zëri i tyre kumboi fuqishëm në Shkup, ku mijëra qytetarë u mblodhën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët tash e pesë vjet po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, u shndërrua në epiqendrën e protestës paqësore, ku qytetarë nga vende të ndryshme mbërritën për të qenë pjesë e thirrjes kolektive për drejtësi.

Disa erdhën në këmbë, e mijëra të tjerë me makina nga qytete e shtete të tjera, me flamuj dhe simbole kombëtare e shtetërore, e me pankarta në duar, kërkuan “Liri për çlirimtarët”.

“Çlirimtarët duhet të lirohen, jo të gjykohen”, ishte motoja që përshkoi gjithë protestën, raporton Klankosova.tv.

Protesta bashkoi edhe figura të njohura të jetës publike, artistë, politikanë e aktivistë.

Atmosfera u bë veçanërisht emocionale me këngët e ikonës së muzikës shqiptare, Ilir Shaqiri, i cili, së bashku me djalin e tij Korabin dhe nipin, interpretoi këngën “Jam shqiptar”, duke elektrizuar turmën.

Mesazhe të drejtpërdrejta pati edhe nga organizatorët dhe liderët politikë.

Kryetari i veteranëve në Kosovë, Hysni Gucati, theksoi se UÇK-ja ishte një ushtri çlirimtare dhe jo kriminale.

“Sot jemi mbledhur këtu për t’i treguar partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut se UÇK nuk ka kryer krime. UÇK ka qenë një ushtri çlirimtare që mbrojti kombin e vet dhe qytetarët e saj. Ne jemi këtu për të ngritur zërin, siç e bëjmë në çdo protestë, duke bashkuar shqiptarët siç bëri edhe Skënderbeu në kohët më të vështira. Kjo gjykatë është formuar nga një individ i çmendur, i cili në vitin 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin dhe Këshillin e Evropës, duke pretenduar se UÇK ka kryer krime. Por ne jemi këtu për të treguar se e vërteta është ndryshe”, tha Gucati.

Ndërkaq, një nga themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, falënderoi aleatët e Kosovës që u bënë bashkë kur u desh për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.

“Amerikë, NATO, Evropë, faleminderit që filozofinë dhe veprimtarinë e njerëzve më të mëdhenj të kombit tonë e keni mbështetur përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ndalur gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës”, deklaroi Ahmeti para të pranishmëve, raporton Klankosova.tv.

Fjalim emocional pati edhe Shqipdona Mazari, vajza e dëshmorit Komandant Strugës, e cila tha se çdo pjesëmarrës në protestë përfaqëson një gur themeli të lirisë.

“Çdo fytyrë këtu është gurthemeli i lirisë sonë. Unë, si bijë dëshmori, qëndroj para jush me emocion, përgjegjësi dhe plagë të pashërueshme. Emocioni im është simfoni krenarie. UÇK-ja është përgjigjja e një populli që nuk e pranoi kurrë zhdukjen dhe ata që e udhëhoqën nuk ishin kurrë kriminelë”, u shpreh Mazari.

Në këtë protestë mori pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila në një deklaratë për Klan Kosova theksoi se kishte marrë pjesë jo si zyrtare politike, por si qytetare shqiptare që mbështet ish-luftëtarët e UÇK-së.

Berat Hajdari, veteran i luftës, njëherësh pjesë e këshillit organizativ të protestës, tha se plagët e luftës mbeten kujtesë e gjallë e një kohe kur liria nuk ishte vetëm fjalë, por betejë.

“Plagët tona nuk janë vetëm në trup, por janë kujtesë e gjallë e ditëve kur liria nuk ishte fjalë, por betejë. Sot kur shoh këtë mbështetje, zemra më rrahë si atëherë”.

“Jemi mbledhur për një kauzë që na dhemb, por mbi të gjitha na bashkon për të kërkuar drejtësi për komandantët e UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë. Nuk po kërkojmë të mohojmë drejtësinë, por jemi për ta kërkuar drejtësinë. Jemi për t’i përkujtuar botës se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, se historia nuk guxon të shtrembërohet, se lufta jonë e drejtë nuk guxon të baltoset. Ne kërkojmë që gjykimi të jetë i ndershëm, jo i bazuar në gënjeshtrat serbo-ruse”, tha Berat Hajdari, veteran i luftës.

Nën simbolet kuq e zi, protesta në Shkup u përmbyll si vazhdimësi e protestave të mëparshme të mbajtura në Prishtinë, Tiranë, Strasburg dhe Hagë, duke përcjellë mesazhin që kjo të jetë protesta e fundit dhe që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në shtëpitë dhe atdheun e tyre, për të cilin luftuan dhe e pavarësuan. 

info@tandempress.net
Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button