Sindikata e Re e KEK-ut del me sqarim pas deklarimeve të deputetës së LDK-së, Janina Ymeri

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK) ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklarimeve publike të deputetës së LDK-së Janina Imeri, duke i cilësuar ato si teknikisht të pasakta, të njëanshme dhe si pjesë e një fushate të qëllimshme dezinformimi që, sipas sindikatës, po dëmton drejtpërdrejt punëtorët dhe stabilitetin energjetik të vendit.

Në reagimin e saj, SR-KEK thekson se deklaratat e fundit nuk janë më thjesht mendime personale apo analiza të gabuara, por kanë filluar të prodhojnë pasoja konkrete në terren, duke demotivuar punëtorët që punojnë pa ndërprerje, duke cenuar dinjitetin e tyre profesional dhe duke minuar besimin publik në prodhimin vendor të energjisë elektrike.

“Punëtorët e KEK-ut nuk janë fajtorë për problemet strukturore të sektorit energjetik dhe nuk do të pranojnë të përdoren si kokë turku për të mbuluar mos-përmbushjen e obligimeve nga aktorë të tjerë të zinxhirit energjetik”, thuhet në reagimin e sindikatës.

SR-KEK vlerëson se është e papranueshme që përmes narrativave selektive dhe deklarimeve të kalkuluara të tentohet zhvendosja e fajit te KEK-u, ndërkohë që, sipas saj, përgjegjësitë reale sipas licencave dhe kontratave me konsumatorët qëndrojnë qartë te operatorë të tjerë të sistemit energjetik.

Duke iu referuar fakteve zyrtare, sindikata thekson se gjatë muajit dhjetor 2025 dhe janarit 2026, KEK ka operuar me pesë njësi prodhuese aktive, fakt që, sipas tyre, është i dokumentuar dhe i konfirmuar nga të dhënat zyrtare të KOSTT-it. “Çdo tentativë për ta mohuar ose relativizuar këtë realitet është manipulim i opinionit publik, jo analizë profesionale”, thekson SR-KEK.

Në reagim sqarohet gjithashtu se termi “kapacitet maksimal operativ” nënkupton kufijtë realë teknikë dhe të sigurt të njësive ekzistuese, e jo shifra teorike për përdorim publik, duke shtuar se vendimet operative merren për të mbajtur sistemin funksional dhe të sigurt.

Sindikata shpreh shqetësim edhe për atë që e quan zhvendosje të qëllimshme të vëmendjes nga barrët reale financiare që, sipas saj, u faturohen qytetarëve përmes rrjetit dhe furnizimit me energji elektrike. “Kjo qasje ngre dyshime të arsyeshme se po tentohet të shfajësohen operatorë të tjerë të zinxhirit energjetik dhe faji të delegohet qëllimisht te KEK-u dhe punëtorët e tij”, thuhet më tej.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button