Skandali me rezervat shtetërore, rryma dhe lidhjet me Vuk Hamoviqin, Kurti: Krejt gënjeshtra

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se ka besim të plotë në Rozeta Hajdarin, të akuzuarën për keqpërdorim detyrë në rastin e rezervave shtetërore.

“Ju keni besim të plotë 100% në Rozeta Hajdarin për përgjegjësinë e saj”, u pyet Kurti nga gazetari Kushtrim Sadiku.

“Padyshim, për herë të parë Kosova ka pasur rezerva shtetërore dhe ajo e ka bërë më të mirën e mundshme, asgjë s’ka joligjore. Përkundrazi, në një situatë të tillë ajo është gjetur shumë mirë, kurrfarë motivi për përfitim të saj apo ndokujt tjetër nuk mund të gjejnë. Nëse ka akterë të tjerë që nuk i janë përgjigjur zotimeve të tyre ka sërish mënyra për t;i adresuar këto”, tha Kurti të enjten në Politiko të Kanal 10.

“Por këtu nuk ka të bëjë asgjë me përgjegjësinë apo fajësinë e ministres Rozetë”, shtoi tutje Kurti.

Kryeministri në detyrë tutje ka mohuar edhe skandalet me tregtinë e energjisë.

“Nuk ka asgjë të vërtetë aty, të gjitha janë dezinformata, në të kaluarën është e vërtetë që EFT i ka shitur energji elektrike Kosovës atëherë kur ka qenë drejtor i KEK-ut, Nijazi Thaçi, dhe ai është shkarkuar”, tha ai.

Tutje ka shtuar se “sa jam unë kryeministër nuk e vazhdon avazin e vjetër”.

“Ne e kemi KESCON dhe KEDS-in, ka një anomali ku çmimet e energjisë elektrike kanë qenë shumë të larta, rreth 700 euro për megavat orë”, tha ai.

Për blerjen e energjisë elektrike nga Vuk Hamoviqi, tha se janë “gënjeshtra krejt”.

“E kanë shpjeguar ministrja Rizvanolli dhe Armend Muja. Nuk e di kush është kompania NOA, çfarë kam të bëjë unë me atë kompani. Kur u pa që nuk ka asgjë me ato dezinformata. EFT-ja nuk fiton fare në Kosovë, Vukamoviqi nuk fiton në Kosovë”, shtoi Kurti.

Artikuj të tjerë

Back to top button