Stano: Nuk di çfarë ka menduar Vuçiqi, por Borrell ishte i qartë pas takimit të tyre

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano ka thënë se në këtë moment Bashkimi Evropian nuk mund të shpallë një raund të ri të dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk kemi asgjë në bazë të së cilës do të mund të shpallnim një dialog të mundshëm të nivelit të lartë”, ka thënë ai, duke iu referuar deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq se pret një ftesë në Bruksel këto ditë dhe se “shpreson në një zgjidhje, sa i përket vendimit të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë”.
Stano e ka thënë këtë me kërkesë të agjencisë serbe të lajmeve “Beta” për të shpjeguar nëse deklarata e Vuçiqit (pas bisedimeve në Munih me Përfaqësuesin e Lartë Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin special Miroslav Lajçak) do të thotë se së shpejti mund të zhvillohet një raund i ri i dialogut.
Përfaqësuesi i Borrellit për media ka thënë gjithashtu se nuk mund të flasë për atë çfarë ka menduar presidenti serb kur, pasi bisedoi me Borrellin dhe Lajçakun, ai kishte deklaruar se i është dukur “se BE-ja ose nuk ka, ose nuk dëshiron të zbatojë mekanizmat kundër Kosovës, e cila në çdo mënyrë po mundohet “ta pastrojë etnikisht Kosovën nga serbët”.
I pyetur se si i shohin Borrelli dhe BE-ja “veprimet e njëanshme të Kurtit”, të pretenduara nga Vuçiqi, dhe veçanërisht “ndalimin e fundit të përdorimit të valutës serbe – dinarit”.
Ai u përgjigj se “nuk ka çfarë të deklarojë më shumë, përveç asaj që ka prezantuar Borrelli pas takimit me Kurtin dhe Vuçiqin në Munih”.
Borrell përmes një mesazhi në rrjetin X kishte thënë se “stabiliteti i qëndrueshëm dhe paqja në rajon mund të arrihet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Dhe rruga për këtë është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, ka përfunduar Përfaqësuesi i Lartë Evropian.